My Twitter Feed

November 23, 2017

Kryetarja e nderit të FSHSHG-së, Flutura Tafilaku përfaqëson komunitetin në IOM për strategjinë e emigracionit

iom

Nga takimi i organizuar nga IOM – Tirana me pjesëmarrjen e organizmave nga Europa për krijimin e një strategjie për emigracionin.

- “Çështje të menaxhimit të emigracionit – Problematikat e hasura dhe nevoja për adresim”

Zonja dhe zotërinj!

Është një gjetje e bukur organizimi i këtij evenimenti të rëndësishëm në vigjilje të 1 Majit, ditës së punëtorëve, sinonim i statusit të emigrantit, dhe për këtë organizatorët meritojnë komplimente.

Do të doja shumë që sot para jush të sillja nga Atdheu i antikitetit të lashtë Grek lajme të mira, por saktësia e Pitagorës është “ngatërruar”, ligjet e Arkimedit “ kanë prishur ekuilibrin”, Odiseja ka humbur busullën dhe nuk gjen dot shtëpinë dhe mbretëresha Athinë ka ulur kokën se nuk di ç’po bëhet me bijtë e saj.

Sinqerisht unë sot do të doja të flisja me mendjemadhësi për arritjet e emigranteve shqiptarë në Greqi. Por nuk më lejon realiteti.

Në shtetin Helen jetojnë rreth 700 mijë shqiptarë, me dhe pa dokumente, duke përbëre rreth 65% të emigrantëve në Greqi. Nga këta rreth 60% kanë punuar në ndërtim, degë e cila është prekur më rëndë nga kriza. Kështu këta emigrantë kryesisht burra, preh e krizës kanë mbushur armatën e të papunëve, duke u vrarë deri në depresion në mentalitetin mashkullor të zotit të shtëpisë, që duhet të sjellë në familje mirëqenien ekonomike.

Kriza në Greqi tashmë është një fakt që vërtet do të duhej një Pitagorë i ri që ti vërë shifrat në vendet e duhura ose të shpikë ligje të reja të matematikës.

Por kjo nuk është tema jonë, tema jonë është problemet e emigrantëve dhe nevoja për adresim. Dhe problemi ynë, pra i emigrantëve të Greqisë është Toponimet.
- Ne sot në këtë kuvend nuk mund të bëjmë Pitagorën e ri, as të shpikim ligje matematikore, as të shpëtojmë Greqinë nga kriza, por absurditetin TOPONIME duhet ta diskutojmë dhe një project për rregullim urgjent të tyre duhet ta bëjmë.

Zonja dhe zotërinj, fëmijët shqiptarë të lindur në Greqi që tashme janë 5-9-15… vjeç nuk mund të vinë për pushime në Shqipëri, as po t’ju vdesë gjyshja e dashur.

Dhe a e dini pse ?

Sepse në pasaportat e tyre shkruhet vendlindja Greqi, në vend që të shkruhej sipas ligjit ndërkombëtar për toponimet GREECE. Ju nuk mund të merrni me mend traumat psikologjike që po pësojnë familjet shqiptare nga ky problem dhe sidomos fëmijët.

Besoj, se është në nderin e këtij forumi të sotëm që të ndikojë në qeveri për marrjen e masave urgjente për zgjidhjen e këtij problemi akut.

Se, përpara se të jemi pushtetarë, zyrtarë, ministra, kryetarë jemi njerez. Dhe çdo njeri do të egërsohej po të mësonte se një nënë me foshnjën në krah dhe fëmijën tjetër 7 vjeç, nuk u lejua të futej në Athinë nga aerodromi “Eleftherios Venizelos” sepse ne pasaportën e fëmijëve të saj ishte shkruar: vendlindja Athinë në vend te toponimit ndërkombëtar Athens. Në telefonatën me të dëgjoja ngashërimin e saj dhe të qarat e fëmijës. Dhe unë pas bisedës telefonike me ambasadorin nuk me mbetej asgjë tjetër veçse të shtrëngoja grushtin Migjenian e “ ti bija malit qe s’bëzan”. Pra zotërinj, ne nuk mund të bëjmë as Arkimedin as Pitagoren as nuk mund të zhdukim krizën Greke, por me një impenjim më të madh duhet të ndryshojmë emërtimet- toponimet e Greqisë në pasaportat e fëmijëve të lindur në Greqi. Është një gjeneratë e tërë prej 120 mijë fëmijësh dhe (jo 500 siç kishte thënë një politikan), pra mëse 120 mijë fëmijë që nuk do të mund të vijnë për pushime tek gjyshet, dhe që po ushqehen me idenë që Atdheu i prindërve të tyre nuk i do. Unë nuk kam ardhur këtu t’ju lutem. Kurrsesi jo! Kam ardhur të kërkoj asgjë më shumë, veç TË ZBATOHEN LIGJET NË BAZË TË KONVENTAVE NDËRKOMBËTARE PËR TË DREJTAT E NJERIUT. Të merren masa urgjente për rregullimin e pasaportave të fëmijëve, të bëhen negociata që fëmijët tanë të hyjnë e të dalin pa probleme.

- Problem i dytë që do të doja të sillja para jush janë pensionet. Ka shumë emigrantë që janë kthyer ose po kthehen. Ata kanë të drejtën të marrin pensione të pjesshme. Ligji Grek për pensionet e vet grekeve thotë: “nëse personit i mungon qoftë edhe një ensimë ( një ditë siguracion ), ai person nuk përfiton pension”. Por greket ish-emigrantë në shtetet e tjera marrin pensione të pjesshme nga shteti ku kanë punuar. Në bazë të konventave për të drejtat e njeriut ky ligj duhet të funksionoje edhe për shqiptarët në Greqi. Pranohet nga politikanët greke roli i shqiptarëve në ndërtimin e Greqisë në këta 20 vjet, dhe sidomos në Lojërat Olimpike të 2004. Unë e kam thënë edhe në Parlamentin Grek se IKA ( Institucioni i Sigurimeve Shoqërore) qëndron në këmbë në saj të pagesës së siguracioneve nga shqiptarët. Pra, bazuar në këto kontribute, emigrantët shqiptarë kërkojnë ndërhyrjen e shtetit Shqiptar për zgjidhjen e problemit të pensionit të pjesshëm për emigrantët që kthehen.

- Problemi i tretë: Të ndërhyhet nga shteti që emigrantët të rinovojnë lejen e qëndrimit me më pak ensima ( siguracione) se në vitet para krizës. Për rinovimin e letrave emigrantët duhet të kenë të paktën 300 ensima (ditë pune). Në kushtet e krizës që siç thamë rreth 60% e shqiptarëve janë të papunë, nuk mund të plotësojnë këtë kusht, automatikisht bëhen an documented, pa leje qëndrimi pas 20 vjetëve jetë dhe pune në Greqi. Më e keqja marrin apelasi ( vendim për tu larguar nga Greqia). Mendoni një familje shqiptare që ka blerë shtëpi, që kishte një biznes të vogël familjar, por si pasojë e krizës e mbyllën, dhe gruaja u arrestua plot një javë se nuk kishte rinovuar letrat. Raste të tilla janë të shumta që çojnë në depresione të njerëzve dhe shfrytëzimin e tyre nga avokatët. Unë jam anëtare e Këshillit të Emigrantëve në bashkinë e Athinës në seksionin e emigracionit dhe këtë problem e bëj prezent me shembuj konkret në çdo mbledhje shpesh syresh kam marrë emigrantë ta thonë vezë problemin e tyre por… Këtu shteti Shqiptar duhet të ndërhyjë dhe me bisedime dypalëshe, me negociata mund të zgjidhet ky problem. Personalisht këtë problem e kam shtruar edhe në Bruksel vjet në një konferencë për emigracionin, por, trajtimi i këtij problemi nga shteti amë qoftë edhe në instancat më të larta të Bashkimit Europian jo vetëm që do të zgjidhte problemin e legalizimit të shqiptarëve por do të rriste edhe prestigjin e shtetit Amë tek emigrantët.

- Problemi katërt që dua të sjell para jush është rehabilitimi ë fëmijëve të kthyer, adaptimi i tyre me sistemin mësimor. Lajmi që ministri i Arsimit Tafaj, na dha në seminarin e Korçës vjet në gusht, se fëmijët e kthyer dhe në rastet me flagrantë të mos ditjeve, kalojnë në klasën vijuese, pra nuk ngelet në klasë është mjaft inkurajues për ne. Mësimi i Gjuhës Shqipe në Greqi vazhdon të ngelet mbi baza vullnetare. Kemi 7 vjet që bëjmë mësim si në kohën e Cucës së Maleve. Vërtetë Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe ajo e Kosovës bëjnë seminare çdo vit ku ne marrim pjesë, dhe pajisjen me tekste shkollore, por ne kërkojmë të paguhemi. Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi, benë një punë patriotike duke u mësuar fëmijëve të emigrantëve Gjuhën e nenës, por nuk e di sa gjatë do të shkojë ky idealizëm. Pra që ne të përgatisim fëmijët që kthehen, që ata të mos jenë viktima të bulling, shqetësim botëror ky, kërkojmë të mbahet premtimi i dhënë; të paguhen mësuesit e Gjuhës Shqipe në Greqi.

- Problemi i pestë; të marrim pjesë ne votime. Emigrantët janë një kapital i çmuar i vendit. Perifrazoj fjalët e kolegut Devole nga takimi i kaluar “emigrantët jetojnë pa shtetin amë edhe shteti amë jeton pa to, por si është më mirë për të dy palët? Indiferenca? Mos vallë Shqipëria ka nevojë për një mentalitet të ri, të ndryshëm nga i mëparshmi? Mos vallë Shqipëria nuk po hyn dot në Europë se ka një mentalitet jo shumë Europian? Mos vallë këta njerëz (emigrantët që jetojnë në shtete Europiane, Amerikë,Kanada, Australi…?, kanë një mendësi që i afrohet më shumë mentalitetit Europian, atëherë pse nuk përfillet? Pse ne emigrantët të mos kemi të drejtën të votojmë në ambasadat përkatëse të shteteve ku jetojmë? Vërtet kërkon investim, por ne jemi taksapagues të rregullt në Shqipëri dhe kerkojme një të drejtë që e kemi të sanksionuar nga Kushtetuta Jonë Shqiptare. Natyrisht nuk kërkojmë ABSOLUTISHT për këto votime, sepse duhet përgatitur infrastruktura dhe kjo do kohën e saj.

- Problem tjetër është burokracia nëpër zyra. Shqetësimi i emigrantëve është se nëpër zyra shtetërore si dhe në organet gjyqësore ka zvarritje, burokraci, mos korrektësi në dhënien dhe shkrimin e dokumenteve, sidomos me emrat e personave, vonesa dhe shtyrje të seancave gjyqësore kryesisht për pronat e patundshme. Mendimi i emigrantëve është se në institucione të tilla janë punësuar njerëz jo sipas meritokracisë. Ndoshta konkurset për këto vende pune do të jepnin mundësinë njerëzve më adapt, më të aftë të punësoheshin për të mirën e përgjithshme.

- Problem tjetër shqetësim për emigrantët që kthehen është konkurrenca e pandershme në treg. Shumë emigrantë janë kthyer dhe kanë hapur biznese të vogla familjare. Ata ankohen se “po i ha” konkurrenca e pandershme. Tatimet ose më mirë tatimorët të nxitur nga bizneset e tjera rreth e rrotull, si dhe nga ndonjë boshllëk i ligjit, janë tepër strikt me biznesmenët e rinj. Absolutisht nuk dua të krijoj përshtypjen se kërkoj të shkelet ligji, por kërkoj që biznesmenët e vegjël të njihen me ligjet e biznesit, të lajmërohen, të paralajmërohen dhe jo të “digjen” me gjoba pa filluar mirë. Njoh disa që kanë patur këtë fat dhe kanë marr arratinë e janë kthyer përsëri në Greqi.

- Në këtë kuadër do të shtroja para jush problemin e doganave. Kthehen emigrantët dhe në kufi paguajnë doganë për plaçkat që kanë blerë para 20 vjetësh. Do më thoni është ligj ndërkombëtar pagesa e doganës?! Normale.

Por besoj se mund ti sugjerohet Parlamentit një ndryshim i ligjit për këtë segment të shoqërisë shqiptare, për emigrantët e Greqisë të vendit me të goditur nga kriza të bëjë një përjashtim te përhoshem, dhe të heqë doganën për sa kohë jetojmë në pikun e krizës.

- Ju kujtoj se 3% e popullsisë se botës janë emigrantë, dhe janë emigrantët ata që kanë ndërtuar botën. Ju kujtoj që çdo familje shqiptare ka patur ose ka të afërm në emigracion. Duhet bërë një strategji efikase për emigracionin sepse politikat shqiptare për emigracionin deri tani nuk shprehen në asnjë dokument politik. Strategjia e parë Kombëtare Emigratore nuk përmban asnjë kapitull për emigrantët. Në këtë strategji emigratore që diskutojmë sot duhet që në themel të saj të jenë mbrojtja dhe promovimi i të DREJTAVE TË NJERIUT.

- E drejtë e njeriut është mësimi i Gjuhës Amtare. Siç e përmenda më lart ne e kemi dhe e bëjmë detyrën tonë si mësues të organizuar në “Lidhjen e Mësuesve”. Kërkojmë që shteti të ndërhyjë, që mësimi i Gjuhës Amtare të bëhet në shkollat publike, ashtu siç zhvillohet në të gjitha shtetet e Bashkimit Europian.

- Në këtë pikë kërkojmë të mbahet premtimi i dhënë nga politikanë në vite, që të bëhet një Qendër Kulturore në Athinë ku ne të promovojmë vlerat, kulturën tonë në përpjekjen për ruajtjen e identitetit. Ju kujtoj që Mali i zi ka një popullsi prej 800 mijë banorë dhe është shtet, ne emigrantët shqiptare në Greqi me një numër afërsisht të njëjtë nuk kemi një Qendër Kulturore, nuk është absurditet ky?

Duke mbyllur doja të thosha se kur ishim të vegjel dëgjonim gjyshet që na tregonin për kohët e vështira të varfërisë apo të luftës, dhe ne i dëgjonim me kërshëri, e para nesh ngrihej e lartësohej figura e heronjve, e njerëzve trima, njerëzve të mirë, të urtë, të drejtë. Dhe unë dua tu falënderoj që më dëgjuat, të falënderoj Teuta Grazdanin që duke më ftuar në këtë takim për të disten herë ( edhe në Athinë), bëri që në backgroundin tim të ketë një përpjekje për të ndryshuar diçka për të mirën e emigrantëve në veçanti dhe të gjithë shoqërisë në përgjithësi, bëri që zëri ynë të dëgjohet nga organizma Europjane pjesëmarrës në këtë takim. Pra ju ftoj që të bëjmë një strategji për emigracionin, një politikë që do t’ju lartësojë në sytë e nipërve tanë dhe ata do t’ju fantazojnë si heronj. Ndihmoni ta vrasim bajlozin Krizë që në fantazinë e nipërve e stërnipërve të keni imazhin e Gjergj Elez Alisë. Vrite krizën. Rregulloje pazllin e ngatërruar të numrave të Pitagorës, Rizbuloje ligjin e Zhvendosjes së Arkimedit, gjeja busullën dhe ndihmoje Odisean Shqiptar të kthehet në Itakën e quajtur Shqipëri. Vrite Krizën !

FLUTURA TAFILAKU,
Kryetare Nderi e Federatës së Shoqatave shqiptare në Greqi
Athinë më 27 Prill 2013

Comments are closed.