My Twitter Feed

November 23, 2017

Federata faktor kryesor, takim i përfaqësisë me dy avokatët e popullit të Shqipërisë dhe Greqisë

federata_e_shqiptareve_ne_greqi_6

Federata faktor kryesor, takim i përfaqësisë me dy avokatët e popullit të Shqipërisë dhe Greqisë

 

Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi, kthehet në faktor shumë të rëndësishëm dhe shndërrohet në hallkë lidhëse në marrëdhëniet dy paleshe Greqi – Shqipëri.

Një përfaqësi e kryesisë së Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, merr pjesë si organizëm legjitim i komunitetit shqiptar në Greqi, i ftuar nga Avokati i Popullit të Greqisë në takimin dypalësh, midis Avokatit të Popullit të Greqisë dhe Avokatit të Popullit të Shqipërisë.

Në këtë takim të mbajtur më 4 Korrik 2013, Federata u përfaqësua nga Kryetari i saj, z. Etmond Guri, Sekretarja e Përgjithshme, znj. Ilsa Mane dhe Zëdhënësja e shtypit znj. Rozana Dajlani. Takimi u zhvillua në një klimë të ngrohtë dhe dashamirëse, si dhe ishte një takim i një rëndësie të veçantë pasi ishte hera e parë që përfaqësi e komunitetit shqiptar ftohet zyrtarisht të marrë pjesë në një takim pune, në prezencë të Avokatëve të Popullit të dy vendeve, atij të Greqisë dhe Avokatit te popullit të Shqipërisë.

Megjithëse Avokati i Popullit është një institucion i pavarur jo ekzekutiv, që të dyja palët, si ajo greke edhe ajo shqiptare, shprehën dëshirën dhe vullnetin e tyre për të ndihmuar, duke insistuar dhe nxitur përgjegjësitë zyrtare për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemeve që hasin emigrantët shqiptarë në Greqi, si dhe u shprehën të gatshëm që të zgjerojnë edhe më shumë bashkëpunimin me Federatën, me qëllim që problemet që hasin emigrantët shqiptarë të përcillen për shqyrtim në organet kompetente ashtu siç duhet.

Kryetari i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, z. Etmond Guri falënderoi Avokaten e Popullit të Greqisë, znj. Kalliopi Spanou për mundësinë e këtij takimi, si dhe Avokatin e Popullit të Republikës së Shqipërisë z. Igli Totozani.

Në vijim kryetari i F.SH.SH.G-së, parashtroi një sërë problemesh që shqetësojnë aktualisht komunitetin shqiptar në Greqi, si:

- Toponimet, duke e konsideruar si të papranueshme dhe ofenduese ndaj komunitetit shqiptar, që të ngrihet trari në doganat greke për kalimin e lirshëm të fëmijëve shqiptare dhe familjeve të tyre, vetëm për periudhën e votimeve me qëllim “vjeljen” e votës, dhe pastaj… heshtje!

- Siguracionet shoqërove dhe pensionet, ku aktualisht numri emigrantëve të pa siguruar rritet me ritme të frikshme dita-ditës, dhe se shteti grek nuk ka marrë asnjë masë dhe as parashikon të avancojë në ndonjë lehtësim të këtyre emigrantëve që për shkak të papunësisë rrezikojnë shumë, duke mos patur qasje në sektorin jetik të shëndetësisë.

- Ligjshmëria e emigrantëve, ku theksoi se politikat e ligjbërësve dhe ligjvënësve grekë, janë të kushtëzuara, pra afatshkurtra dhe kurrsesi afat mesme apo edhe më tej, që ajo kategori emigrantësh që plotësojnë të gjitha kushtet të gëzojnë mbrojtjen dhe mbështetjen e ligjit dhe jo të ketë zvarritje të pashpjegueshme “të qëllimshme” dhe t’i arsyetojnë ato se ndodhin për shkak të “burokracisë”.

- E drejta e votës dhe e drejta e zgjedhjes, pra emigrantët shqiptarë të kudondodhur të kenë të drejtën e votës dhe të drejtën e zgjedhjes, që të përfaqësohen nga vetë emigrantët dhe jo nga politikanë që nuk e njohin aspak emigracionin.

- Riatdhesimi i emigrantëve në mëmëdhe, ku aktualisht nuk ka asnjë strukturë apo rrugë, qoftë dhe informative për të udhëzuar këta bashkëkombës që të riatdhesohen në shoqërinë shqiptare, ku vendin kryesor e zënë fëmijët e tyre të cilët nuk dinë të flasin as gjuhën e nënës!

- Hartimi i një Strategjie Kombëtare Migracioni me pjesëmarrjen e emigrantëve, me qëllim që kjo strategji të ngrihet mbi baza të shëndosha dhe të prekë problemet reale dhe jo ato teoriko-shkencore të cilat lenë në harresë emigrantin.

- Arsimi, thithja e trurit në mëmëdhe, pra të kenë mundësinë të diplomuarit që kanë përfunduar studimet e tyre jashtë vendit me nota të larta të kenë qasje dhe përparësi në tregun e punës në Shqipëri.

- Ngritja e një qendre kulturore.

- Bashkëpunim i ngushtë i Federatës me dy Avokatët e Popullit etj.

Nga ana e tij, Avokati i Popullit të Shqipërisë, z Igli Totozani, pasi falënderoi kryetarin e F.SH.SH.G-së për parashtrimin e këtyre problemeve, theksoi se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Federatën, si dhe vijoi duke thënë se ai dhe institucioni që drejton ka bërë një sërë hapash të rëndësishme, ku veçoi atë të kërkesës së dërguar Kryeministrit në detyrë të Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, më dt 17-06-2013, me nr. protokolli: 201301007/2 me lëndë: “Rekomandim për hartimin dhe miratimin e Strategjisë së re Kombëtare mbi Migracionin dhe të një Plani të detajuar Veprimi”, shkresë të cilën ia dorëzoi edhe kryetarit të F.SH.SH.G-së, si dhe konfirmimin që ai ka marrë nga koalicioni i majtë, fitues në zgjedhjet e fundit parlamentare, që së shpejti pritet të formojë qeverinë e ardhshme të Shqipërisë, ku një rol të rëndësishëm do të kenë edhe emigrantët, pasi për herë të parë do të krijohet Ministria e Emigracionit, e cila do të merret enkas me zgjidhjen e problemeve të emigracionit.

Nga Etmond Guri Kryetar i F.SH.SH.G

 

 federata_e_shqiptareve_ne_greqi_6federata_e_shqiptareve_ne_greqi_8

federata_e_shqiptareve_ne_greqi_7

Comments are closed.