My Twitter Feed

November 23, 2017

Emigrantët “ngrenë” zërin në Presidencë!

Nishani 4

Nishani 4Emigrantët “ngrenë” zërin në Presidencë!

Nga Etmond Guri
Kryetar i F.SH.SH.G

Një përqasi e komunitetit shqiptar në Greqi, e udhëhequr nga kryetari i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, z. Etmond Guri i shoqëruar nga bashkëshortja dhe gazetarja e shquar, znj. Eljona Kataro, sekretarja e përgjithshme znj. Ilsa Mane, sekretarja e gruas pranë federatës znj. Pandora Gjoliku, sekretari i kulturës z. Festim Zaçe, zëdhënësja e shtypit znj. Roza Dajlani dhe financieri i F.SH.SH.G-së, z. Ardian Xhemali, zhvilluan një takim zyrtarë me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani.

Pas kërkesës së bërë nga ana e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, Presidentit të Republikës, ajo u pranua me kënaqësi nga ky i fundit dhe u përcaktua të realizohej më 24 Maj 2013.

Tematika e këtij takimi ishte prezantimi i Federatës dhe parashtrimi i problemeve më të mprehta që shqetësojnë emigrantët shqiptar në Greqi, ku veçonte ai i toponimeve.

Pas fjalës së mirëseardhjes nga presidenti i republikës, fjalën e mori kryetari i federatës z. Etmond Guri, i cili pasi e falënderoi presidentin për zhvillimin e këtij takimi, e njohu presidentin Nishani me historikun dhe rolin e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi ku theksoi: “Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi, është një bashkësi Shoqatash e ligjëruar nga Gjykata e Athinës me nr vendimi 476/2006.

Federata është një organizëm jo qeveritar jo fitimprurës dhe është organi më i lartë përfaqësues i komunitetit shqiptar në Greqi.

Federata përbëhet përkatësisht nga 21 shoqata të ligjshme dhe një numër i konsiderueshëm shoqatash dhe grupimesh të pa ligjëruara. Federata nuk ka anëtarësi, ajo përfaqëson shoqatat (të cilat kanë anëtarësi) për në nivelet më të larta në institucionet greke dhe ato shqiptare.

F.SH.SH.G, në përputhje me statutin e saj, ka këto qëllime kryesore:

1. Të realizoje mirëkuptimin gradual midis shoqatave shqiptare ne Greqi për bashkëpunim dhe bashkëveprim në drejtimet kryesore që i shërbejnë integrimit në shoqërinë greke, duke ruajtur identitetin kulturor dhe kombëtar të shqiptareve.

2. Integrimin e emigracionit shqiptar në shoqërinë greke dhe në Evropë: Legalizimi, barazia para ligjit, gjuha greke dhe gjuhët e tjera që ndihmojnë komunikimin me shkencën dhe artin botëror, barazia në punë, në shkollë dhe shkollim, në shërbimet publike.

3. Ruajtjen e identitetit të emigracionit shqiptar: Gjuha shqipe, kultura, traditat, zakonet.

4. Të rritet cilësia e përfaqësimit te emigracionit shqiptar duke tentuar në përmirësimin gradual të imazhit për Shqipërinë dhe shqiptarët në Greqi, në Evropë dhe në botë. Të nxitet zhvillimi i veprimtarive patriotike-kulturore sipas trevave të traditës dhe sipas shpërndarjes së emigrantëve në hartën administrative të Greqisë. Por, qëllimi i ardhjes sonë në këtë takim padyshim që nuk është vetëm prezantimi i Federatës, por parashtrimi i problemeve të mprehta që shqetësojnë aktualisht emigrantët shqiptar të cilët fatkeqësisht janë lënë në harresë nga qeveria shqiptare. Edhe pse ne si Federatë kemi kërkuar takime me strukturat përkatëse të qeverisë shqiptare, nuk jemi marrë në konsideratë. Dua t’ju shpreh keqardhjen time i nderuar zoti president për neglizhencën e qeverisë shqiptare, e cila për më shumë se 23 vjet nuk i është gjendur kurrë dhe nuk i ka hedhur asnjë herë sytë mbi qytetarët e saj emigrantë, të cilët lanë mëmëdheun për shkak të problemeve serioze ekonomiko-politiko-sociale për një të ardhme më të mirë. Me keqardhje ju them Ju se problemi shumë serioz i toponimeve nuk është marrë aspak seriozisht nga qeveria shqiptare, madje nga vetë goja e Ministrit të Brendshëm Flamur Noka kemi dëgjuar teksa ai është prononcuar në media se janë vetëm 500 fëmijë emigrantë që kanë këtë problem duke gënjyer, ne kemi fakte që tregojnë se ky numër nuk është 500 por me mijëra. Çfarë ka bërë për këtë qeveria shqiptare? Nga takimet që kemi patur me Ambasadorin shqiptar në Athinë, nuk ka rezultuar asnjë gjë pozitive veçse ndihmës këshilluese të ofruar personalisht nga vetë ambasadori, por që ne emigrantëve nuk na ndihmon, pasi arsyetimet e çdo pale duke ia hedhur fajin njëra-tjetrës, ne nuk na interesojnë, ne kërkojmë zgjidhje. Për këtë ne si F.SH.SH.G, kemi realizuar dhe një takim me Avokatin e Popullit në Greqi, të cilët na dhanë po të njëjtën përgjigje duke na detajuar në fund të takimit se çështja është më shumë politike se sa administrative.

I nderuar zoti president, problemi ynë më emergjent që kërkon zgjidhje të menjëhershme është ai i toponimeve!

Gjithashtu, problemi tjetër që kërkon të gëzoj kujdesin e duhur është ai i riatdhesimit të emigrantëve dhe fëmijëve të tyre!

Emigrantët shqiptarë edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada në emigracion, përsëri mbeten në radhë dhe seleksionohen në trarin e doganave greke se cili do të hyjë dhe cili jo në shtetin fqinjë. Vetëm muajt e fundit është bërë publike nga statistikat e shtetit shqiptar se janë riatdhesuar plotë 180 mijë emigrantë shqiptarë. Ne kërkojmë që për këta emigrantë si dhe për shumë të tjerë të cilët do të kthehen në atdhe të prekur nga kriza e rëndë ekonomike që po kalon Greqia, të gjejnë mbështetje nga qeveria shqiptare, ku ne propozojmë:

- Informacion përkatës në detaj për lehtësimin e procedurës së riatdhesimit dhe të ri-integrimit të bashkëqytetarëve tanë në shoqërinë shqiptare.

- Ndihmë sociale deri në sistemimin në një vendi pune.

- Fëmijët e riatdhesuar të mbështeten përkatësisht që integrohen më lehtë në shoqërinë shqiptare, pasi kanë mungesë dhe probleme me gjuhë dhe shkollim në shqip”, tha në fjalën e tij kryetari i federatës.

Në vijim fjalën e mori zonja Panorea Gjoliku, e cila pasi u prezantua dhe e falënderojë presidentin, e nisi me një poezi të shkruar nga një poet emigrantë, ku vetëm me tre strofa poezia përcillte mesazhin më të fuqishëm të mundësh të ndjesisë së qenit emigrantë dhe i pashpresë e i harruar nga… mëmëdheu!

Zonj. Pandora Gjoliku i parashtroi presidentit problemin shumë të mprehtë të mësimit të organizuar të gjuhës shqipe në Greqi, duke folur me fakte dhe i paraqiti për këtë dokumente origjinale presidentit Nishani, i cili u ndje i befasuar nga ky organizim i mirë i Federatës dhe komunitetit shqiptar në betejën e tyre të drejtë për në rrugën e dijes, që fëmijët tanë të mësojnë lexim e këndim sipas çdo të drejtë në emigracion.

“Është e papranueshme që në shumë raste të kemi mbështetjen e autoriteteve greke dhe të mos kemi asnjë informacion dhe të ndjejmë mungesën e shteti ëmë”, tha ajo, duke shtuar “Ne si komunitet kemi dekada që mundohemi të vetorganizohemi z. President. Por, kjo nuk mjafton, humbasim kohë nga ajo e familjes, vëmë dorën në xhep edhe pse në shumë raste nuk na gjinden, vetëm e vetëm që kurset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe t’u gjenden fëmijëve të bashkatdhetarëve tanë që të mësojnë gjuhën e nënës, të dinë ta lexojnë dhe ta shkruajnë atë dhe të ruajmë kështu me dashurinë më të madhe identitetin tonë kombëtar. Por i nderuar z. President duhet edhe ndihma e shtetit, duhet Ministria e Arsimit të kontribuoj, të çelet një fond qoftë edhe minimal për t’u paguar një numër i caktuar mësuesish të cilët i plotësojnë kriteret. Të sigurohet baza materiale e fëmijëve, librat etj. Të ketë një abetare, jo tre siç kemi aktualisht. Të njihen këto kurse të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, të insistohet nga pala shqiptare që gjuha shqipe të zhvillohet në ambientet e shollave greke ku ata mësojnë. T’u njihet certifikatat e mësimit plotësues të gjuhësh shqipe të fëmijëve në Greqi”, theksoi ndër të tjerash zonj. Gjoliku.

Në vijim fjalën e mori Sekretarja e Përgjithshme e Federatës dhe njëkohësisht Kryetare e Shoqatës “Studenti” Ilsa Mane, e cila pasi e përshëndeti presidentin, hyri direkt e në temë duke i parashtruar atij, problemin serioz të studentëve shqiptar të cilët edhe pse diplomohen në Greqi, nuk kanë të drejtë të ushtrojnë aty profesionin për të cilin ata janë diplomuar.

“Duhet shteti shqiptar të bëjë diçka në këtë drejtim. Nuk është e mundur që me mijëra student shqiptar, të cilët mbyllin ciklin e studimeve dhe diplomohen me notat më të larta të mos kenë të drejtën e qasjes në tregun e punës, për të ushtruar profesionin për të cilin ata kanë studiuar. Madje kanë edhe probleme shumë serioze, pasi mbarojnë studimet, edhe pse me nota shumë të mira ata rrezikojnë të mbeten pa dokumente, pasi ligji grek lë shumë për të dëshiruar në këtë drejtim”, theksoi sekretarja e F:SH.SH.G-së, duke shtuar “Para pak kohësh kryeministri i vendit, z. Sali Berisha njoftoi në media se qeveria ka hartuar një program për riatdhesimin e inteligjencës, pra të studentëve që kanë studiuar jashtë vendit me notat më të larta. Ne nuk kemi parë asnjë program? A nuk duhej që qeveria shqiptare të kishte një program konkret që të orientonte këta student që riatdhesoheshin dhe të kishin qasje në tregun e punës në Shqipëri për të dhënë aty kontributin e duhur?”, theksoi Ilsa Mane.

Pas sekretares së përgjithshme, fjalën e mori Sekretari i Kulturës në F.SH.SH.G, z. Festim Zaçe, i cili falënderoi presidentin për realizimin e këtij takimi, e njohu presidentit me një pasqyrë të shkurtër të aktiviteteve kulturove që organizon komuniteti shqiptar në Greqi, nën ombrellën e Federatës e cila ka rol koordinues.

Z. Zaçe i shprehu keqardhjen e tij për mungesën e shtetit shqiptar në gjithë këto vite emigracion, ku edhe në vitin jubile të 100-vjetorit të pavarësisë mungoi!

“Ne z. President, bëmë gjithçka vetë. U organizuam si kurrë më parë, për të festuar me pasion dhe dëshirën më të madhe festën e 100-vjetorit të pavarësisë me shpenzimet tona. I nderuar z. President, ne si komunitet kërkojmë nga shteti shqiptar të hap një Qendër Kulturore në Greqi, pasi është detyrim moral dhe ia ka borxh qytetarëve të tij, të cilët nuk e harrojnë kurrë mëmëdheun. Janë me qindra artistë, shkrimtarë, poetë, dramaturg, kritikë artit etj, të cilët kërkojnë një folezë, ku të gjejnë aty ngrohtësinë e mëmëdheut”, i tha presidentit z. Zaçe.

Përfaqësia e Federatës ishte e kompletuar me emigrantë të cilët i përkisnin të gjitha fushave dhe mund ti paraqisnin problemet që shqetësojnë komunitetin me mënyrën më të mirë të mundshme. Kështu edhe kërkesa e biznesmenit të suksesshëm z. Ardian Xhemali, i cili njëkohësisht mbanë postin e Financierit në Federatë, i kërkoi presidentit që shtetit shqiptar të negociojë me palën greke për çështjet e pensioneve.

“Duhet që shteti shqiptar të negociojë me shtetin grek që të gjendet një rrugëzgjidhje për marrjen e pensioneve. Të njihen violetet e punës. Të gjendet një mënyrë për të lehtësuar ata mijëra pensionist të cilët marrin pension në të dy vendet, por që detyrohen çdo muaj të kthehen në atdhe për ta tërhequr atë, për pasojë edhe ato pesë të holla ti lenë rrugëve”.

Po në të njëjtën frymë ishte dhe kërkesa e zëdhënëses së Federatës, Roza Dajlani, e cila i kërkoi presidentit të drejtën e votës dhe të zgjidhjes së emigrantëve.

“Z. President, a nuk e konsideroni si jo të drejtë neglizhencën e shtetit shqiptar në mospërfilljen e qytetarëve shqiptar që kanë emigruar në vendet fqinje?. Ne kërkojmë të drejtën e votës. Ne jemi të bindur se është një e drejtë legjitime e jona. Ne kërkojmë jo vetëm të marrim pjesë në votimet e ardhshme, por të kemi dhe të drejtën e zgjidhjes, pra të dalin përfaqësues nga gjiri i emigrantëve, të cilët i njohin shumë mirë problemet që na shqetësojnë dhe të jenë pjesë e parlamentit shqiptar”.

Presidenti i Republikës në ndërhyrjen e tij u shpreh se institucionet e shtetit shqiptar nuk kanë treguar vëmendje e duhur ndaj problemeve që lidhen me emigracionin në Greqi dhe në vende të tjera, duke shtuar se nisur nga problemet e ngritura, duhet një angazhim më i madh i këtyre institucioneve, për t’iu përgjigjur sfidave që lidhen me respektimin e të drejtave të emigrantëve që nga trashëgimia e gjuhës, kulturës e deri te integrimi në vendet ku ata jetojnë.

Kreu i Shtetit vlerësoi mikpritjen e popullit grek ndaj emigrantëve shqiptarë dhe në këtë frymë shprehu bindjen se institucionet e shtetit grek do të shtojnë angazhimin e tyre për integrimin e mëtejshëm të emigrantëve shqiptarë në shoqërinë greke dhe respektimin e të drejtave të tyre.

Presidenti Nishani dhe përfaqësuesit e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi u shprehën në favor të vazhdimit të kontakteve të bashkëpunimit për t’i kontribuar njohjes dhe zgjidhjes së problemeve dhe për t’i shërbyer forcimit të miqësisë dhe marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona.

Nishani 1Nishani 2Nishani 3Nishani 4

Comments are closed.